Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për ish-drejtuesin e kadastrës Ardit Kërtusha, Dashnor Taullën dhe ish-drejtorin e ASHK Durrës, Leonard Kadrimin. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë krijuar kushtet për tjetërsimin me dokumenta të falsifikuara të rreth 150 mijë metra katrorë, të cilat më pas iu shitën personave të tretë dhe kompanive të ndryshme.
Gjykata e Durrësit kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërkohë tre ish-zyrtarët kishin kërkuar një masë më të butë sigurie. Por Apeli ka rrëzuar kërkesën e tyre dhe i ka lënë nën të njëjtën masë sigurie.
Njoftimi:
“Në përfundim të gjykimit, sot me datë 23.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare z. Fatri Islamaj vendosi:
-Miratimin e vendimit datë 14.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me të cilin është bërë verifikimi i kushteve të zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të caktuar me vendimin datë 11.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ndaj personave nën hetim D. T, A. K, L. K.”