Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i ftuar në emisionin “Kjo javë” të gazetares Nisida Tufa, u është përgjigjur akuzave se është palë e partive politike.
“Akuzat janë tjetër dhe mundësia për të zgjidhur një situatë politike është tjetër gjë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Akuzat padyshim që janë akuza politike, akuza që kanë startuar që ditën e parë të zgjedhjes sime si President i Republikës.
Nuk janë ndalur asnjëherë janë akuza që asnjëherë nuk kanë patur fakte, prova, as logjikë politike, as njerëzore, nuk kanë qenë të besuara në asnjë argument. Kanë mbetur gjithnjë shabllon i agresivitetit dhe artikulimit shterp politik. Sa i takon procesit për të zgjidhur Presidenti i Republikës, edhe një herë e them se asnjë President nuk ka parë kushtetuta jonë mekanizma që të orientojë palët që të shkojnë në një zgjidhje apo në një zgjidhje tjetër.
Institucioni i Presidentit të Republikës është një institucion që garanton seriozitetin dhe konfidencialitetin e bashkëbisedimit dhe të artikulimit në opinionin publik të parimeve dhe adresimive më të mira të mundshme që qetësojnë situatën, largojnë ngërçin, ç’tensionojnë në tërësi ambjentin dhe mbajnë edhe garancinë e realizimit të premtimeve dhe dakordësisë që arrihet.”, deklaroi sot Nishani.
Një ditë më parë, në mbledhjen e Kryesisë së FRD-së, ish-presidenti Bamir Topi, akuzoi presidentin e Republikës Bujar Nishani si palë të politikës.
“Situata parazgjedhore tepër e rëndë. nuk kemi qenë për qeveri teknike, këtu ndahemi me opozitën. Komisioni i reformës zgjedhore në mënyrë të qëllimshme është braktisur për të krijuar alibi për zgjedhjet që vijnë. I bën thirrje faktorit ndërkombëtar, pasi kemi humbur totalisht besimin nga faktorët e politikës, të hyjnë me shpejtësi për të ndërmjetësuar. Presidenti ka treguar se asnjëherë nuk ka qenë mbi palët por ka qenë palë. FRD do organizoje strukturat e saja për t’u takuar me njerëzit”, tha Topi. (D.D/Shuplaka)

Discussion about this post