Presidenti Donald Trump ka sugjeruar një ide të pazakontë për largimin jashtë vendit të keqbërësve amerikanë që janë përsëritës të krimeve, duke paguar një tarifë simbolike për strehimin e tyre nga shtete të huaja.
“Nëse ata janë arrestuar shumë herë dhe janë përsëritës të krimeve, dua që t’i largojmë nga vendi ynë. Të çohen në një tokë të huaj dhe të mirëmbahen nga të tjerët për një tarifë shumë të vogël.” deklaroi Trump në një konferencë me republikanët në Miami më 27 janar.
Presidenti argumentoi se kjo masë do të kursejë shpenzimet e mëdha për burgjet federale dhe ato private që, sipas tij”kushtojnë një pasuri.” Kjo ide nuk ka lidhje me deportimet e emigrantëve të paligjshëm me rekorde kriminale, por fokusohet tek kriminelët amerikanë që kanë një histori të gjatë të arrestimeve.
Që pas marrjes së detyrës më 20 janar, ai ka ndërmarrë masa drastike përfshirë nënshkrimin e 26 urdhrave ekzekutivë dhe shpalljen e një emergjence kombëtare në kufi.
Ndërsa ideja e internimit penal duket e pazakontë për epokën moderne, historia tregon raste të ngjashme. Britania internonte të burgosur në kolonitë amerikane dhe më pas në Australi deri në 1868. Franca dhe Rusia gjithashtu kanë praktikuar internime në Guiana dhe Siberi. Mbetet e paqartë se si do të pritet kjo ide, por Trump beson se një masë e tillë mund të ulë ndjeshëm nivelin e kriminalitetit në SHBA.