Kevin Hajrulla i cili mbeti i plagosur në një atentat të mirë organizuar në Vlorë në fund të dhjetorit të 2024 ka lënë spitalin e Traumës pas më shumë se një muaji ku qëndroi për kurim pasi ishte plagosur me 24 plumba.
I riu, punonjës në një call center nuk ka asnjë rekord kriminal dhe këmbëngul para hetuesve se nuk ka asnjë lidhje me botën e krimit. Ai është kushëri i Inez Hajrulla që njihet si një prej bosëve të krimit në Vlorë dhe dyshohet se goditja ka ardhur pikërisht prej tij.
Hajrulla mori drejtimin e grupit kriminal të Edison Arizajt pas vrasjes së këtij të fundit në Durrës në 2018. Inez Hajrulla është në përplasje të forta me Bernard Sinamatin që njihet si kreu i grupit kundershtar.
Sinamatit iu vra me snajper nipi Gëzimi në janar të 2024 teksa ndodhej në ballkonin e pallatit. Në 1 vjetorin e vrasjes së tij në varreza ishte vetëm nëna e të riut, por asnjë pjesëtar tjetër pasi të dyja grupet po ruhen nga njëri- tjetri.
Javët e fundit policia e Vlorës ka sekuestruar 3 automjete të blinduara të grupit të Inez Hajrullës, ndërsa këtë të fundit nuk e ka pyetur ende. Për atentatin ndaj Kevin Hajrulla policia nuk ka të dyshuar dhe provat për Identifikimin e autorëve janë të vakëta. Familja e Kevin Hajrullës ndërkohë shpreh shqetësim për sigurinë e djemve të cilët janë vënë në shënjestër të krimit.