Pavarësisht se shprehet se zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor, kryeministri Edi Rama ka anuluar takimin e tij elektoral që kishte planifikuar të mbante në zonën e Kamzës, ku do të prezantonte kandidatin Rakip Suli.
Ky i fundit përmes një postimi në rrjetet sociale njofton qytetarët se shkak për mosmbajtjen e mitingut të sotëm është bërë axhenda e kryeministrit, ndërsa takimi do të shtyhet për një tjetër datë.
‘’Të dashur bashkëqytetarë, mbështetës të Partisë Socialiste dhe mua si kandidat për Kryetar i Bashkisë Kamëz, dëshiroj t’ju informoj se takimi i planifikuar për sot do të zhvillohet në një moment tjetër për shkak të ndryshimit të axhendës së Kryeministrit tonë Edi Rama. Ju faleminderit për mirëkuptimin!”, shkruan Suli në rrjetet sociale, ndërsa një ditë më parë kishte njoftuar se takimi do të bëhej në orën 18:00 të pasdites së sotme.
Kryeministri Rama pritet që të niset pasditen e sotme në Bruksel, ku do të takojë Mogherinin dhe Junckerin, ndërsa nga zyra e tij u tha se kjo vizitë ishte e planifikuar. Ndryshimi në minutat e fundit i axhendës në Kamëz, tregon se Rama po shkon në Bruksel për të diskutuar mbi krizën dhe përplasjen e re që ka përfshirë vendin dhe se takimi nuk ka qenë i planifikuar më herët.
Shkruante dje Suli:

Nesër, me datë 10 | 06 | 2019
Orari është shtyrë me 1 orë, si rrjedhojë e temperaturave të larta, ndaj në 18:00
Përpara Pallatit të Kulturës, Kamëz
Të gjithë sëbashku, për Kamzën që Duam ?
Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, presidenti Meta argumentoi vendimin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve, duke thënë se vendi mund të shkonte drejt një përplasjeje civile. (Lexo edhe këtu) Nga ana tjetër mazhoranca ka nisur sot mbledhjen e firmave për shkarkimin e Metës, që do të diskutohet në mënyrë më të zgjeruar seancën e të enjtes në Kuvend.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post