Kjo është zhurma me të cilën duhet të përballen qytetarët e Tiranës në çdo moment, pasi tashmë është bërë e zakonshme përdorimi i borive pa kriter. Ky është një shqetësim jo i vogël qoftë për shoferet, por edhe për kalimtarët apo përdorues të tjerë të rrugëve në kryeqytet.
Kushdo që ka marrë një patentë e di fare mirë që boria nuk lejohet të përdoret pa kriter në zona të banuara, pikërisht te shqetësimi që shkakton te të tjerët.
Boritë janë bërë një trend tashmë kur ndizet semafori jeshil, për t’i dhënë shenjë shoferit përpara që të lëvize me shpejt, apo për t’i kërkuar që të hapë rrugën, duke u kthyer kështu në stres, apo dhe në arsye sherresh mes shofereve.
“Shumë shqetësuese është”, tha një banore në Tiranë.
“Kam 3 ditë kam ardhur nga Polonia, ndejta dy muaj një buri makine nuk dëgjova. Kurse këtu është lëmsh, nuk të lënë radhë të kalosh, futesh në vizat e bardha makina të përplas”, u shpreh qytetari.
Sipas Kodit Rrugor, përdorimi i sinjaleve zanore në zonat e banuara është i ndaluar përveç rasteve kur ka rreziqe të menjëhershme. Në rast të shkeljeve, shoferi ndëshkohet me masë administrative nga 500 deri ne 2000 leke, ndonëse gjobat në këtë aspekt thuajse nuk egzistojnë fare.
Jashtë kamerave, drejtuesit e autoshkollave konfirmojnë se boria përdoret në zona urbane vetëm kur ka rrezik aksidenti apo kur ka një emergjencë, dhe më shumë se gjoba, është edukata e vetë shoferit që bën diferencën thonë ata, dhe kur vjen puna te edukata në këtë aspekt, situata e përditshme tregon se ne jemi ende larg.