Mbrëmjen e djeshme Eneda Tarifa u shpall fituesja e Këngës Magjike, ndërkohë që ky vendim nuk u prit mirë nga ana e publikut, në sallë dhe jashtë saj, për të cilët fituese e këtij edicioni duhej që të shpallej Fifi, e cila në vlerësimin e përgjithshëm u rendit në vendin e dytë.
Edhe gjatë momentit kur Eneda u ngjit në skenë për të marrë çmimin e saj, publiku në pallatin e Kongreseve thërtiste në kor emrin e Fifit, çka detyroi Enedën që të thërriste këngëtaren e talentuar pranë vetes, dhe ti shprehte dëshirën për ta ndarë së bashku trofeun.
“Dëgjo këtu, unë votova me shumë dëshirë për ty, për këngën e mrekullueshme që na dhe, edhe për zërin e mrekullueshëm që ke, dhe për fjalët kaq të bukura. Realisht do doja shumë që kjo kupë të ndahej dhe ta merrnim që të dyja. Dua një duartrokitje shumë të madhe për Fifin, e mrekullueshmja”, është shprehur Eneda, që më pas u prit me duartrokitje dhe nga ana e publikut.
Nga ana tjetër vetë Fifi, e njohur për shpirtin e saj sportiv, u ngjit në skenë në një mënyrë aspak të zakontë, duke parakaluar Florin, ndërsa lotët duket se ja tradhëtuan ndjenjat e brendshme, që me siguri donin që ajo të triumfonte në këtë edicion.
(E.K/Faxweb.al)