Votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.
Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën 70 178, ndërsa deri sot në orën (09:30) janë miratuar 43 171 kërkesa.
Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 43 644 (62.2%) kërkesa, ndërsa femrat janë 26 534 (37.8 %).
Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 20 115 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 19 261 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 13 259, mbi 56 vjeç janë 10 498 kërkesa për regjistrim dhe nga grup-mosha 18-25 vjeç janë 5852 kërkesa për regjistrim.
Sipas të dhënave janë refuzuar 25 622 kërkesa.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 24 342, e ndjekur nga Greqia me 18 421, Gjermania me 9220, si dhe nga SHBA me 5720.
Sa i takon kërkesave sipas qarqeve, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 13 316, më pas bashkia e Fierit me 10 816, Korça me 8197, Durrësi me 6146 etj.