Nga Andi Bushati
Pas emërimit të Arta Markut si kryeprokurore e përkohshme (që po qëndron në detyrë prej dy vjetësh), sot Rilindja ka kryer aktin e dytë të madh të shkatërrimit të Reformës në Drejtësi, zgjedhjen në mënyrë të paligjshme të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në vijim të atij që prej ditësh është përshkruar si një konflikt proceduarash mes Kuvendit të Shqipërisë dhe presidencës, fshihet në fakt një lojë e qartë ekulibrash politike.
Shumica parlamentare kërkonte të shpinte atje dy emrat e saj, të dala nga lista e hartuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili vepron nën influencën e ndjeshme të një drejtuesi si Ardian Dvorani dhe kryeprokurores së përkohshme, Marku.
Pavarësisht nga piruetat që janë bërë në KED, ku njëra nga kandidatet (tashmë e shpallur fituese nga kuvendi) nuk plotësonte parametrat as për gjyqtare e shkallës së parë, aty gjithësesi u hartua një listë.
Por në këtë listë gjendej edhe një ‘armike e partisë’, juristja Marsida Xhaferllari.
Pikërisht në emër të saj u zhvillua beteja.
Kjo zonjë, që bashkëjeton me sa duket me ish deputetin Enkeled Alibeaj, që ka punuar si kryeinspektore e këshillit të Lartë të drejtësisë nën presidencën Nishani dhe Meta, i plotësonte të gjitha parametrat për tu trajtuar si e padëshiruar.
Jo vetëm Dvorani dhe Marku ia ulën asaj pikët në maksimum, jo vetëm që vettingu e hetoi për dy vite dhe në fund nuk mori vendim për të, por u shkua dhe më tej, u prish gjithë arkitektura e procedurës së përzgjedhjes së një gjykatësi kushtetues, vetëm e vetëm për të shkuar tek emrat që i duheshin Rilindjes.
Ashtu siç kuptohet lehtësisht nga qëndrimet e mbajtura nga socialistët në kuvend, ky puç institucional u organizua vetëm që të përjashtohej Meta nga mundësia hipotetike e përzgjedhjes së Xhaferrllarit.
Në këtë procedurë fillimisht u shkel kushtetuta. Sepse neni 179 (2) i saj e përcakton qartë se zgjedhja e anëtarëve duhet bërë me radhë për të ruajtur parimin e ekuilibrit të pushteteve.
Sipas këtij rendi të përcaktuar në mënyrë taksative, as Ilir Meta nuk mund të përzgjidhte dy kandidatë në të njëjtën kohë, dhe as parlamenti dy të tjerë ashtu sikurse bëri sot.
Organizata e Rilindjes zgjodhi të veprojë pikërisht kështu, pra edhe për ti hequr kreut të shtetit të drejtën e dekretimit të një anëtari të ri edhe për ti dhënë vetes një kompetencë që nuk i takon.
Por, për të mbërritur deri këtu skema e manipulimit qe më e gjatë. Ajo ishte e rakorduar plotësisht me kryetarin e ‘pavarur’ të KED, Ardian Dvorani, i cili i mbajti listat e hartuara nga institucioni i tij, të fshehura në sirtar, pikërisht për të krijuar këtë anomali që i mohonte presidentit të drejtën për të zgjedhur lirisht.
Nga gjithë kjo histori banale kapjesh të shtetit rrjedhin disa përfundime të thjeshta.
Në fakt e keqja më e vogël është dërgimi i njerëzve të rilindjes në majat më të larta të drejtësisë.
Pasojat afatgjata janë shumë më të rënda.
Ato kanë të bëjnë me përdhosjen në mënyrë selektive të Kushtetutës apo procedurave në varësi të emrave të veçantë.
Ato kanë të bëjnë me shndërrimin në karagjozllëk të një procesi kaq të rëndësishëm, i cili degradon në një lojë kukamshefti fshehjesh të postës në sirtarë.
Ato dëshmojnë një mospërfillje cinike ndaj presionit ndërkombëtar, për ta ngritur shpejt kushtetuesen, sepse po e mbajnë atë peng përmes sherreve artificiale me Metën.
Ato tregojnë se Rilindasit jo vetëm nuk i besojnë procesit të cilin e kanë votuar vetë, por nuk ia dalin dot atij mbanë pa e manipuluar.
Natyrisht, për të siguruar pandëshkueshmërinë për krimet më makabre që kanë bërë, ata nuk kanë rrugë tjetër veçse ta kapin krejtësisht drejtësinë.
Dhe këtu po bëjnë krimin më të madh.
Jo se po përpiqen të shpëtojnë veten, por sepse me njerëzit që po emërojnë dhe procedurat që po shkallmojnë, po rilindin mostrën e një drejtësie politike.
Të një mashtrimi, që, ndonëse e duartrokasim si reformë amerikane, nesër do ta përdorin po njësoj edhe ata që do të vijnë pas tyre në pushtet.