Policia e Shkodrës është vënë në kërkim të autorit të dyshuar për vrasjen e një 32-vjeçari ditën e djeshme më Shkodër.
Angjelin Shkami, banues në Shkodër, është ekzekutuar me armë zjarri paraditen e së dielës në rrugën që të çon tek varrezat e “Stom Golemit”.
Trupi i pajetë u gjet brenda mjetit tip “Benz” me targa AA 275 BF. Burime nga policia e Shkodrës thonë se autor i dyshuar për ngjarjen është shtetasi Artan Koçeku.
Mësohet se ky i fundit sapo kishte dalë me leje nga burgun i Fushë-Krujës, ku vuante dënimin për vjedhje. Dyshohet se shkak për vrasjen është bërë një borxh i pashlyer.
Kujtojmë se edhe vetë viktima ishte me precedent të mëparshëm penalë, teksa ishte futur në burg për shkak të kultivimit të lëndëve narkotike.
DETAJET E PLOTA:
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 17.12.2017, ku mbetur i vrarë shtetasi A. Sh., 35 vjeç, banues në Pulaj, Velipojë, Shkodër Shpallet në kërkim autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje.
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë veprimeve të shpejta hetimore, dhe operative, është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim si autor i dyshuar i shtetasit: A. K., 27 vjeç, banues në fshatin Pog, Shkodër, i cili ka qënë me leje shpërblimi nga burgu i Peqinit, ku vuan denimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me armë”, parashikuar nga neni 140 i Kodit Penal.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një konflikti për shkak të një borxhi që autori i dyshuar A. K., i ka patur viktimës A. Sh. Autori ka pas një komunikim me telefon me viktimën dhe janë takuar tek varrezat e Stom Golemit, ku shtetasi A. K. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit A. Sh. i cili ndodhej në automjetin e tij, ku për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Po punohet intensivisht për përcaktimin e vendodhjes dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “Vrasje me paramendim “ e “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake “ parashikuar nga nenet 78 e 278/2 i Kodit Penal
VRASJA E SHKËMBIT:
Me datë 17.12.2017, rreth orës 11:10, Salla Operative është njoftuar se në rrugën që të çon tek varrezat e “Stom Golemit”, një person në një makinë, është pa shenja jete. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë konstatuar se në mjetin tip “Benz” me targa AA 275 BF , ndodhej trupi i pajetë i shtetasit A.Sh. 32 vjeç, banues në Shkodër, i vrarë me armë zjarri nga persona akoma të paidentifikuar.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja pistole. Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Në mbështetje të veprimeve që po kryhen nga D.V.P. Shkoder për kapjen e autorëve, janë edhe grupe të FNSh-së.
(E.K/FAXWEB)
Discussion about this post