Një 28 vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar për në Shqipëri, pasi në vitin 2012 vrau me armë zjarri babë e bir në Elbasan.
Mësohet se 28 vjeçari është Etien Çani, i cili vrau shokun e tij të ngushtë Gentian Beqirin dhe babain e tij Nezir Beqirin në 15 gusht të vitit 2012. 40-vjeçari Gentjan Beqiri u ekzekutua në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër” të Elbasanit. Dëshmitar i ngjarjes së rëndë ka qenë babai i tij, Nezir Beqiri, i cili ndërroi jetë pak minuta pas të birit.
Fillimisht u dyshua se Nezir Beqiri kishte pësuar infarkt pas ngjarjes, por ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që ka marrë në trup. Ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri, duke i shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen.
Njoftimi zyrtar:
Një tjetër i kërkuar bie në pranga, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët.
Kapet në Itali dhe ekstradohet drejt Shqipërisë 28-vjeçari nga Elbasani, i kërkuar për vrasje.
Specialistët e Interpol Tirana bënë ekstradimin nga Milano, Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar E. C. 28 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Shtetasi E. C. është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit G. B. dhe N. B.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
(K.H/Faxweb.al)
Discussion about this post