Ministri i Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar pas fotografisë që ka publikuar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ku shihet harta e Kosovës me flamurin e Serbisë në të.
Majko në një shkrim në Facebook ka thënë se me publikimin e kësaj fotoje, Vuciq tregon se i pëlqen papajtueshmëria, por sovraniteti I Republikës së Kosovës garantohet nga Nato dhe jo nga Instagrami.
Ai ka shtuar se ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd.
“Republika e Serbisë nënshkroi një deklaratë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë për të respektuar procesin e paqes rajonale. Diplomacia e fotove në instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në mardhëniet ndërkombëtare.
Sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga instagrami. Kjo është arsye e mjaftueshme që presidenti serb ti ofrojë shtetasve të vet, një të ardhme të cilën mund ta përballojnë. Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit europian nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në instagram”, ka thënë Majko.
Kujtojmë se publikimi i kësaj fotoje ka bërë që të shkaktohet një zemërim i madh në mesin e shqiptarëve, të cilët kanë filluar një fushatë për largimin e saj nga rrjeti social Instagram.
Një prej tyre është edhe aktivisti Shpend Lila, i cili ka reaguar ashpër duke kërkuar që të raportohet postimi i presidentit serb.