Detaje të reja kanë dalë lidhur me superaksionin e zhvilluar dje në 12 qytete të vendit. Sipas Kryeprokurores së Krimeve të Rënda Donika Prela janë lëshuar urdhër arreste për 44 persona, si dhe për kontrollin e banesave të tyre, dhe personave të tjerë të dyshuar.
Derimë tani janë arrestuar 27 shtetas, ndërsa janë shpallur në kërkim 6 persona të tjerë. Po ashtu në kuadër të këtij aksioni është dhënë masa e arrestit me burg për korrupsion për shtetasin Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Dy ish-deputetët dyshohet se kanë pasur rol në këtë grup kriminal, përmes veprimeve të tyre. Po ashtu janë arrestuar nga ana e Policisë dhe nipërit e ish-deputetit Ndoka në qytetin e Lezhës.
Sipas Prelës janë goditur katër grupe kriminale në të gjithë vendin. Në këtë operacion janë arrestuar dhe tre punonjës të policisë së shtetit.
Por si funksiononte skema mes grupeve kriminale?
Sipas policisë dyshohet se Lul Berisha i cili i shpëtoi arrestimit të policisë kishte marrë përsipër trafikun e heroinës drejt Gjermanisë.
Njerëzit e Arben Ndokës do të trafikonin dy ngarkesa me hashash, 2 ton e 700 kg.
Ndërsa grupi i ‘Avdylajve’ dyshohet si porositësi i laboratorit për prodhimin e drogave të forta në Has, konkretisht heroinës.
(B.H/Faxweb)