Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur sot një mbledhje ku është vendosur në lidhje me plotësimin e vakancave në Këshillat bashkiakë të Tiranës dhe Sarandës. Kryekomisioneri Celibashi ka njoftuar plotësimin e vakancës në Këshillin bashkiak të Sarandës, me Thanas Gurman, ndërsa plotësimi i vakancës në Këshillin Bashkiak Tiranë plotësohet me Kejda Kacelin.
Ndërkohë është diskutuar edhe në lidhje me procesin e votimit nga jashtë dhe detajet teknike.
Është vendosur që kutia e mbledhjes së votave do të ketë një kapacitet më të madh në krahasim me votat brenda vendit. Në mbledhjen e sotme u miratua projektvendimi “Për caktimin e partive politike që do të propozojnë anëtarët dhe sekretarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”.
Partitë politike që do të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve) për zgjedhjet për parlamentare të datës 11 maj 2025 janë si më poshtë: Partia Socialiste, si partia kryesore e shumicës parlamentare, propozon 2 anëtarë, ndërsa Partia Socialdemokrate, si partia e dytë kryesore e shumicës parlamentare propozon 1 anëtar.
Partia Demokratike si partia kryesore e opozitës parlamentare, propozon 2 anëtarë, ndërsa Partia e Lirisë si partia e dytë kryesore e opozitës parlamentare, propozon 1 anëtar. Anëtarin e 7 në KZAZ me numër çift e propozon PS. Sekretari propozohet nga PD në KZAZ me numër çift dhe në ato me numër tek propozohet nga PS.