Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti në një intervistë për Zërin e Amerikës para zgjedhjeve të 11 dhjetorit thotë, mes tjerash se shqiptarët mund të humbasin deputetë në zonat zgjedhore 1, 2 dhe 5 nëse votat e tyre shpërndahen për më shumë kandidatë në garë.
Ahmeti pret që pas zgjedhjeve të hapen çështje siç është ajo e emrit të Maqedonisë. Ai flet për zhvillime të tjera aktuale në Maqedoni dhe për perspektivat e vendit.
I pyetur se sipas parashikimeve, shqiptarët në këto zgjedhje do të dalin me 3 a 4 deputetë më pak për shkak të numrit më të madh të partive shqiptare në garë. A është kjo shqetësuese për ju? Ali Ahmeti është përgjigjur:
“Kjo më brengos. Mendoj se shqetësimi dhe brenga nuk janë kategori të njëllojta. Më brengos sepse dobësohen shqiptarët. Unë gjithmonë kam thirrë partitë e vogla që të bëhen bashkë se të tilla bëhen më të forta dhe le ta fitonin Bashkimin Demokratik për Integrim! Dhe nuk është humbje për shqiptarët nëse do të humbte BDI-ja, por humbje do të jetë nëse shqiptarët humbin mandate, nëse përçahet vota shqiptare. Mirëpo, nuk ndodhi që partitë e vogla të bashkohen me një program dhe nën një ombrellë dhe kjo gjë më brengosi sepse në qoftë se shqiptarët ndajnë votat, sigurisht se i dobësojnë mandatet (në parlament). Dhe në këtë situatë medoemos u bëj thirrje shqiptarëve që ta votojnë sa më shumë BDI-në si dalëzotës i vetëm i kauzës shqiptare në Maqedoni, e që di të përballet në situata me të tjerët, di të ofrojë zgjidhje dhe alternativa; Ka vizion se si duhet ndryshuar e sotmja dhe e nesërmja të bëhet më e mirë. Unë nuk shoh tek këto lëvizje të vogla që janë krijuar, kapacitet për t’u përballur dhe zgjidhur problemet. Unë për 14 vjet nuk kam bërë thirrje “Votoni BDI-në”, por në këtë gjendje duke pasur këtë brengosje vërtetë u them shqiptarëve në Maqedoni: Votoni BDI-në si i vetmi dalëzotës që di të përballet me të tjerët”.
Zgjedhjet në Maqedoni mbahen më 11 dhjetor dhe sipas ekspertëve të politikës, këto janë më të rëndësishmet që pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1992.