Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, Ina Zhupa akuzoi shumicën se po përdor Kuvendin për të realizuar ligjvënie elektorale me qëllim sigurimin e votave për Partinë Socialiste. Zhupa theksoi se Paketa e Maleve, e depozituar më 10 janar, nuk ishte përfshirë në projekt-kalendarin e punimeve për datën 20 janar, dhe se përdorimi i saj tani është një tentativë për shpërndarje të granteve në prag të zgjedhjeve, gjë që është e ndaluar nga Kodi Zgjedhor.
“Po bëni ligjvënie elektorale dhe po shpërndani para publike për të siguruar vota”, deklaroi Zhupa, duke shtuar se ky veprim është një shkelje flagrante e rregullave zgjedhore. Gjithashtu kritikoi shumicën për kalimin e ligjeve të ministrave me procedurë të përshpejtuar, ndërsa nismat e deputetëve kanë vite që nuk shqyrtohen.
Zhupa kërkoi që kjo paketë të hiqet urgjentisht nga kalendari parlamentar për t’u shmangur shkelja e ligjit dhe për të mbajtur integritetin e procesit zgjedhor.