Në një situatë të rënduar ekonomike, ku zhvlerësimi i qëllimshëm i euros po godet fort eksportet shqiptare, nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur alarmin për pasojat e rënda që po përjetojnë mijëra qytetarë dhe sipërmarrës. Ajo ka denoncuar politikat e qeverisë, duke e akuzuar për indiferencë dhe përfitim nga kriza, ndërsa bizneset po mbyllen dhe mijëra vende pune po shuhen çdo muaj.
Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet kanë rënë me 15.4% në vitin 2024, me një ndikim të veçantë në industrinë fason, ku sektori i tekstileve dhe këpucëve ka regjistruar një rënie prej 20%. Ndërkohë, Xhixho thekson se qeveria është më shumë e fokusuar në betonizim dhe flukse parash të dyshimta, duke braktisur ekonominë reale dhe qytetarin e thjeshtë.
statusi i plotë:
Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet shqiptare pësuan një rënie dramatike prej 15.4% në vitin 2024, duke shënuar kështu vitin e dytë radhazi me rezultate negative. Kategoritë më të goditura janë tekstilet dhe këpucët, të cilat kanë regjistruar një rënie prej 20%, duke sjellë pasoja të rënda në sektorin fason dhe për mijëra qytetarë të punësuar në këtë industri.
Statistika alarmante për vitin 2024:
•10 mijë vende pune të humbura
•50 biznese fason kanë mbyllur aktivitetin
•Indeksi i punësimit në industrinë e tekstilit ka rënë me 20.8%
•Pagat kanë rënë me 21%
•Eksportet e veshjeve dhe këpucëve kanë rënë me 16.5%
Kriza në sektorin fason është thelluar nga zhvlerësimi i qëllimshëm i euros, që ka ulur konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare. Kërkesat për mbështetje nga sipërmarrësit dhe punëtorët janë injoruar, ndërsa qeveria ka vazhduar politikat që favorizojnë betonizimin dhe flukset e parasë së dyshimtë.
Ekspertët dhe përfaqësuesit e sektorit fason paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, kriza do të thellohet, duke prekur edhe më shumë familje dhe duke rrënuar një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.
A është qeveria përgjegjëse për këtë kolaps ekonomik?