Ka nisur me rebelimin e Erion Braçes seanca e sotme në Kuvend, teksa është shprehur se prej pesë javësh ka kërkuar një interpelancë me ministrin e Financave Arben Ahmetaj, dhe ende sot nuk është kryer kjo.
Braçe tha se kërkesa e tij bazohet në nenin 80-të të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe jo në nenin 80-të të dëshirave të tij.
“Prej pesë javësh kam kërkuar një interpelancë ministrit të financave. Ligji e parashikon qartë se ministri duhet që të përgjigjet brenda tre javëve. Pra kanë kaluar dy javë nga afati dhe ministri ende nuk përgjigjet, po e përsëris është neni 80 i kushtetutës, dhe jo neni 80 i dëshirave të mia.
Nëse unë e kam seriozisht punën time duke komunikuar me shkresa me ministrin, ai nuk e mendon njësoj duke u tallur me kërkesat e mia serioze. Do ju lutesha shumë që javën e ardhshme të planifikohet interpelanca ime me ministrin për ligjshmërinë e një sërë individëve në FSHF”, u shpreh Erion Braçe.
Menjëherë pas kësaj deklarate të Braçes, ka reaguar dhe kreu i kuvendit Gramoz Ruçi, i cili tha se ministri javën e fundit ka qenë me shërbim jashtë vendit, dhe është e justifikueshme mungesa e tij sot në ionterpelancë.
E megjithatë Ruçi premtoi se me patjetër përballja mes Ahmetajt dhe Braçes do të ndodhë javën e ardhshme, ashtu siç e parashikon dhe neni 80-të i Kushtetutës së vendit.
(E.K/FAXWEB.AL)