Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka sfiduar në mënyrë direkte presidentin Hashim Thaçi, që e akuzon se ka futur fshehurazi në kufi Behgjet Pacollin, që të përballen së bashku në një debat televiziv. Kurti shkruan në rrjetet sociale se Thaçi është shembulli më i keq, që qytetarët nuk mund dhe sduhet të ndjekin, pasi ka shkelur protokollin e vendosur kundër pandemisë së shkaktuar nga Covid 19.
“Presidenti i Kosovës, Thaçi, duhet të pushojë me këto kalime kufiri pa protokoll e në kundërshtim me masat e marra ndaj pandemisë COVID-19. Ai është shembull i keq që qytetarët nuk bën ta ndjekin. Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës. Nëse don, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.
Situata politike në Kosovë nuk është aspak e qetë, me LDK-në që ka gati qeverinë e re, në diskutim me partitë e tjera politike, ndërkohë që Vetëvendosje ka paralajmëruar nisjen e protestave në Kosovë. Një tjetër shkëndijë në ndezjen e debateve në këto ditët e fundit ka qenë dhe Behgjet Pacolli, i cili nuk u la të fluturonte drejt Kosovës, pasi në të kundërt do të ishte i detyruar që të futej në karantinë të detyruar për 2 javë. Për ti shpëtuar kësaj Pacolli u ul në Rinas, dhe më pas dyshohet se ka udhëtuar me makinën e presidentit Thaçi drejt Kosovës. Të paktën këto janë pretendimet e Vetëvendosjes. (E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post