Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në spitalin ”Continental”, Edian Gjoni ka bërë një denoncim të fortë ditën e djeshme, pas vdekjes së pacientes Blerta Pepa dhe kalimit në koma të mjekut-anestezist Tefik Zhurda. Gjoni, gazetar, deklaroi se disa gazetarë i kanë kërkuar para për të fshehur ngjarjen. Por sot gazetari Edmond Arizaj i kërkon Gjonit që të nxjerrë emrat.
”Kush janë gazetarët që të kërkuan para?! E gjithë kjo tollovi, ka ardhur direkt nga paaftësia jote për të menaxhuar situatën dhe për të qenë transparent me median dhe publikun, si drejtor i marr me publikun që je i Spitalit ”Continental”…
Nëse qenke i skandalizuar nga gazetaria, se qënke dhe vetë gazetar (inflacioni vuuu) bëj një punë prej gazetari: nxirri emrat, ose hesht…”, e sugjeron Arizaj.
”Jam i skandalizuar nga gazetaria e neveritshme që po bëhet në Shqipëri. E kisha dëgjuar por nuk kam dashur asnjëherë që ta besoj duke qenë se unë vetë jam gazetar.
Kam komunikuar dje gjatë gjithë ditës me dhjetra kolegë, të cilët ishin të interesuar për ngjarjen në Spitalin Continental. Pjesa më e madhe e tyre, kërkonin para nga Spitali për të fshehur ngjarjen.
Nëse nuk na paguani ju, do të hedhin lekë konkurentët tuaj që ne t’ju sulmojmë akoma më fort”. Tmerrrrrrrrrr. Një numër i madh portalesh të njohura dhe të panjohur që janë në kushtet e mbijetesës, ku për para janë gati të bëjnë gjithçka. Të krijojnë legjenda urbane, të cilat më pas edhe vetë janë të prirur t’i besojnë. Të hedhin baltë apo të denigrojnë kë të duan, sa herë të duan.
Pa fakte pa prova, për të helmuar njerëzit, njerëzit që ushqehen me helm çdo ditë dhe helm lëshojnë nga tastiera e një kompjuteri apo telefoni smartphone.
Një gazetari që e ka humbur misionin fisnik, atë të informimit. Por ka marrë një tjetër status të gjobvënies si të ishte një bandë e mirëorganizuar.
Gazetarë te televizioneve kombetare që ende nuk e dinë se një lajm duhet të jetë i balancuar. S’ka faj. Ai di të bëjë vetëm punën e ushtarit. Është pa mendim. Pa shtyllë kurrizore. Pa emër. Pa personalitet. Gazetarë, të cilët nuk janë gazetarë. Jam pa fjalë!”, rrëfeu Gjoni.
Tri ditë më parë ndërroi jetë gjatë operacionit të ligamentit të këmbës, 16-vjeçarja Blerta Pepa. Ndërkohë ka nisur procedimi penal për tre mjekët: Tefik Zhurda, Jovan Kosta dhe Meoibus Ult. Përfaqësuesit e spitalit reaguan dje nëpërmjet një deklarate. (V.G/SHUPLAKA)