Dy gazetarët e Fax News, Fatjon Gjinaj dhe Elvis Myrta kanë folur për ngjarjet më të bujshme të vitit 2020, përfshirë këtu atentate dhe ekzekutime të frikshme që tronditën opinionin publik.
Gjinaj, i cili që prej Shtatorit ka zbritur në terren e cilëson rastin e tre të rinjve në Vrith të Malësisë së Madhe si ngjarjen më të rëndë. Sipas tij, bëhet fjalë për një krim kompleks pasi janë përfshirë tre familje. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të kultivimit të lëndëve narkotike, gjë që ka marrë jetën e tre të rinjve ndërsa autori i dyshuar, Daniel Pepaj mbetet në kërkim.
Fatjon Gjinaj: Ishte dhe në fillesat e mia në zbritjen në terren në Fax News. Në fillim të Shtatorit, ishte ngjarja e Malësisë së Madhe ku tre të rinj për rreth 8 ditë u zhdukën në një zonë relativisht malore në Malësinë e Madhe në fshatin Vrith, ndërkohë që mu desh të nisesha drejt kësaj zone dhe të raportoja nga andej se çfarë po ndodhte. Ka qenë një situatë e vështirë për shkak se nga njëra anë, kontaktet me policinë lokale i kishim të kufizuara, nga ana tjetër presioni dhe kontaktet e herëpashershme nga përfaqësues të familjeve për deklarata që vetë ata jepnin dhe kishin kontraditë në atë çfarë thonin, por edhe të atyre çfarë mësuam pasi mbërritëm atje.
Dy nga të tre djemtë të cilët u zhdukën, u gjetën të pajetë. Autor kryesor i ekzekutimit të tyre dyshohet të jetë Daniel Pepaj, i cili rezulton të jetë i afërm me njërin nga viktimat. Ndërkohë që njëri prej viktimave, Klement Pepaj, rezulton të jetë i afërm po me njërin nga viktimat si dhe me autorin.
Ishte një ngjarje shumë komplekse, tre familje që njiheshin në një fshat të vogël, i cili njihej deri atë ditë vetëm për afërsinë që kishte me zonën turistike të Razmës, ndërsa për një periudhë të gjatë u bë ndër fshatrat më të komentuar që e gjithë ngjarja erdhi si rezultat i kultivimit të bimëve narkotike, ashtu siç u konstatua.
Ndërsa gazetari Elvis Myrta veçoi rastin e Ardian Çapjas dhe Kastriot Reçit. Në fillim të vitit 2020, Kastrit Recit iu bë një atentat mafioz me snajper në Rrëshen, ndërsa Çapjas i bënë atentat në Elbasan, por arriti ti shpëtojë falë asaj që njihet si ‘era e Krastës’.
Në intervistën për Fax News, Myrta u shpreh se këto ngjarje i veçon si më të bujshmet pasi qitësit mund të jenë vrasës profesionistë me pagesë nga forcat komando apo persona që janë stërvitur në ushtri.
Elvis Myrta: Gjatë këtij viti, pavarësisht se Shqipëria prej gati 2 muajsh u mbyll, prodhoi shumë ngjarje kriminale. Unë doja të veçoja dy ngjarje që për mua kanë qenë shumë të bujshme dhe kanë tronditur opinionin publik. Doja të kujtoja ngjarjen e 7 Janarit të fillimit të vitit 2020 kur në një atentat mafioz me snajper do ekzekutohej nga banesa e pallatit, Kastriot Reçi në Rrëshen.
Një tjetër ngjarje e bujshme do të konsideroja dhe atë të Elbasanit në qershor, ku u qëllua nga kodra Ardian Çapja, një emër i njohur për autoritetet e Elbasanit. Fatmirësisht ky i fundit i shpëtoi atentatit mafioz, ndoshta për shkak se autori nuk e ka llogaritur dhe erën e Kodrës që qyteti i Elbasanit e quan era e Krastës. Doja të theksoja se këto ngjarje mund të konsiderohen të bujshme për shkak se vrasësit ose qitësit janë profesionistë dhe prokuroria dhe autoritetet kanë dyshuar gjithmonë tek këto ngjarje se qitësit mund të jenë nga forcat komando ose profesionist që kanë kryer ushtri apo janë stërvitur. Për këtë arsye doja të veçoja këtë ngjarje.
(A.M/Faxweb.al)