Është shpallur “Dëshmor i Atdheut” 32-vjeçari Arjan Sala.
Vendimi sapo është marrë, dhe pritet që të bëhet me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili do të vizitojë këtë paradite familjen e të riut, që humbi jetën në një magazinë në Tiranë, në përpjekje për të shuar flakët, që rrezikonin jetën e personave të tjerë.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se titulli “Dëshmor i Atdheut” do të firmoset nga ana e ministrit të mbrojtjes, dhe do ti dorëzohet më pas familjet të të riut.
Propozimi që Sala të shpallej “Dëshmor i Atdheut” u bë nga pronari i kompanisë së sigurisë ku ai ishte i punësuar, Erzen Breçani, i cili në një status të shtunën, tha se veprimin e të riut, do ta kishte zili çdo punonjës policie, qoftë shtetëror, qoftë privat.
Si ndodhi ngjarja
Me Arjan Salën pasditën e të mërkurës kur ka shpërthyer zjarri në magazinë tek kthesa e Kamzës, ndodheshin edhe dy kolegë të tij si dhe djali i pronarit të biznesit.
Burime bëjnë me dije se nga hetimet ka rezultuar që 3 të tjerët kanë bërë përpjekje për t’u futur në magazinë, por kanë kthyer pas në momentin kur janë ndjerë keq nga tymi dhe flakët, ndërsa Arjani ka përparuar më në thellësi me një bombul që përdoret për shuarjen e flakëve në duar.
Mjeti në fjalë i është gjetur pranë trupit të pajetë në momentin kur është zbuluar pas pothuajse 3 ditë kërkimesh. Personat që kanë qenë me Salën atë ditë përfshirë edhe djalin e pronarit të qendrës tregtare, janë marrë në pyetje nga hetuesit ku kanë dhënë edhe dëshmitë e tyre për ngjarjen, ndërsa kanë treguar se më përhapjen masive të flakëve janë kthyer pas duke humbur nga sytë 33-vjeçarin.
Përpara se Sala të bllokohej në magazinë duke pësuar fillimisht asfiksi dhe më pas humbur jetën, ka asistuar ne avakuimin nga kati nëntokë i godinës i të paktën 7 personave që ndodheshin aty.
(E.K/Faxweb.al)