Nga Ergys Mërtiri
Deputetja Majlinda Bregu ka hartuar një draft ligjor për të penguar komentet fyese në blogje dhe portale në internet. Ajo ka paraqitur një nen me 6 pika, në të cilin administratorët e blogjeve dhe portaleve bëhen përgjegjës për çdo koment, anonim ose jo, të ardhur nga lexuesit në hapësirën e tyre. Në ligj, sanskionohet se, në rast se komente të tilla arrijnë të kalojnë seleksionimin e administratorëve, ato duhet të fshihen menjëherë nga portali, nëse ka ankesa nga personat e cënuar, përndryshe administratori mban përgjegjësi përpara ligjit, i cili i jep të drejtë Autoritetit përgjegjës për Komunikimet Elektronike të bëjë të mundur mbylljen e portalit elektronik.
Justifikimi i znj. Bregu mbështetet në faktin se në shumë faqe interneti, komentet e lexuesve përdoren për shpifur e fyer njerëz, duke shfrytëzuar anonimatin për të cënuar dinjitetin e të tjerëve. Është e vërtetë që një masë e konsiderueshme faqesh, jo vetëm që nuk kanë asnjë filtër seleksionimi ndaj komenteve, por madje administratorët përfshihen vetë në orkestrimin e ritualit të përbaltjes publike, duke e përdorur hapësirën e tyre si bateri artilierie kundër dinjitetit të të tjerëve, shpesh-herë për qëllime krejt personale. Faqe të tilla janë shndërruar në plehërnajë verbale, duke zbrazur perversionet më të neveritshme ndaj njerëzve, publikë ose jo, gjë që shpesh nuk kursen, jo vetëm personin që ofendohet, por edhe familjen e të afërm të tij. Shantazhi publik dhe sulmet personale janë të vetmet axhenda që orientojnë politikat editoriale në shumë prej faqeve të tilla, të cilat funksionojnë si instrumente linçimi e denigrimi. Fatkeqësisht faqe të tilla janë shpesh edhe më të klikuarat, për vetë faktin se thashethemi e shpifja gëzon ende afeksion në një shoqëri, ende provinciale si kjo e jona, ku perversiteti i kënaqjes me spektaklin e denigrimit të tjetrit, ushqen ende sadizmin kolektiv.
Por a e justifikon kjo hartimin e një ligji që i jep akses qeverisë dhe pushtetit të mbyllë media, duke cënuar lirinë e të shprehurit? A e lufton vërtetë këtë fenomen ky ligj, dhe a jep garancitë e duhura se ai nuk do të përdoret prej pushtetit si një pretekst për asgjësuar çdo zë opozitar?
Raporti midis lirisë së fjalës dhe përgjegjësisë publike është fusha ku luhet përballja midis të drejtës për t’u shprehur dhe mbrojtjes së dinjitetit të individit. Është pikërisht ekuilibri midis këtyre të dyjave që duhet të arrijë çdo ligj për median, por ky ekuilibër kërkon një kandar që pret mjaft hollë, gjë që nuk e vërejmë në mënyrën sesi mat e pret pushteti në këtë vend. Për këtë arsye, hartimi i çdo ligji që përpiqet të mbyllë gojë njerëzish, në kushtet kur shohim se pushteti priret të tregohet i zellshëm për të futur duart në punët e medias, jo vetëm për të penguar zërat opozitarë, por edhe për t’i blerë e kompromentuar ata, është diçka që nuk vjen në kohën dhe mënyrën e duhur.
Sipas parimeve të një shoqërie demokratike, në thelbin e çdo ligji për shtypin (të çfarëdolloj natyre qofshin këto) qendron qëllimi për t’i lidhur duart pushtetit të mos ndikojë mbi mediat, dhe vetëm në plan të dytë qendron kujdesi për të shmangur abuzimin me lirinë e fjalës. Që nga Tokëvili (në Mbi demokracinë në Amerikë), autorët e demokracisë, si dhe hartuesit e ligjeve mbi shtypin pohojnë se përballë lirisë së fjalës dhe pengimit të abuzimit me të, prevalon liria. Midis shtetit dhe shtypit, zgjedhja anon gjithmonë nga shtypi. Kjo për shkak se midis atij që ka akses mbi forcën dhe atij që ka akses mbi fjalën, ka kuptim të mbrohet ai që ka akses mbifjalën. Gjithmonë ligjet hartohen për të mbrojtur atë që ka më pak fuqi.
Ajo çfarë shohim të draftin e paraqitur nga znj. Bregu është, jo vetëm asgjësim i këtij ekuilibri, por edhe pamundësi për të arritur objektivin e synuar. Ligji i jep hapësirë qeverisë të eleminojë kundërshtarët duke dhunuar të drejtën për t’u shprehur dhe lirinë e fjalës, ndërkohë që, as që ka për të arritur kurrfarë suksesi në frenimin e abuzimeve me fjalën. Ligji nuk jep asnjë garanci se pushteti nuk do të tregohet arbitrar me ushtrimin e të drejtës që fiton për të sunduar mbi mediat dixhitale, dhe prej këndej, çdo qëllim i mirë i hartueses së tij, humbet vlerë. Më shumë se mbrojtjen e dinjitetit të individit, ligji mundëson zgjerimin e mundësive për shantazh ndaj blogosferës, të vetmes hapësirë komunikimi ku mund të gjesh ende ajër lirie në këtë vend.
Ligji shkon deri aty sa, gjykimin mbi një kokment, ia le në dorë personit që komenti kritikon. Nëse unë ndjehem i cënuar nga një koment, automatikisht ligji më jep të drejtë mua, dhe ngarkon menjëherë me përgjegjësi administratorin, pse nuk e fshin atë. Prej këtej, më pas ligji autorizon instancat shtetërore të mbyllin portalin, në mënyrë krejt arbitrare.
Në të vërtetë është gjykata dhe jo Autoriteti për Komunikimet Elektronike, ai që vendos nëse një koment kritik kapërcen apo jo hapësirën e lirisë së fjalës duke cënuar dinjitetin e dikujt. Përveç kësaj, nëse administratori i një portali, gjykon se komenti nuk e ka kapërcyer kufirin e lirisë së tij për të kritikuar, nuk ka asnjë kuptim që të ndëshkohet pse nuk ka “mendimin e duhur” mbi kufirin e kësaj lirie. Aq më tepër, nuk ka kuptim që për shkak të një rasti të tillë, të mbyllet i gjithë portali, i cili mund të ketë një aktivitet krejt të dobishëm dhe legjitim në tërësinë e tij. Kjo e bën këtë iniciativë një veprim që rrezikon të sjellë një sistem censure, dhe jo një rregullator lirie.
Nga ana tjetër duke e kufizuar hapësirën e veprimit vetëm tek portalet e duke përjashtuar facebook-un, siç vetë znj. Bregu u shpreh në emisionin Opinion, ligji bëhet nul, sepse po kërkon ta luftojë cënimin e dinjitetit të individit në fushën e gabuar. Cënimi më i madh i integritetit të individit sot bëhet në facebook. Rasti i linçimit që iu bë znj. Grida Duma është nga më domethënësit, mbi mënyrën sesi facebook-u mund të përdoret për të ekzekutuar një figurë publike, në komoditetin më të plotë, duke fshehur dorën. Sot, me një faqe facebook-u fantazëm, e me një investim prej 200 eurosh, mund ta çosh në gijotinë këdo, duke e shpërndarë një shpifje, apo edhe një të vërtetë private, tek çdo shtetas i këtij vendi, brenda apo jashtë tij.
Për këtë arsye, lufta me komentet është shumë periferike, për të marrë vëmendjen e një ligji të posaçëm. Kjo do të thotë se znj. Bregu, nuk e ka marrë dhe aq seriozisht këtë çështje, për të hartuar vërtetë një draft që synon ta eleminojë në mënyrë të qenësishme këtë fenomen, pa harruar të ofrojë mbi të gjitha garancitë për lirinë e fjalës. Ashtu si edhe në shfaqjet pro-feministe (si për ironi, autorja e ligjit u shpreh e shqetësuar mbi integritetin e grave që cënohet nga komentet në internet, a thua se integriteti i burrave është i një natyre më pak të rëndësishme) gjërat bëhen pa kurrfarë serioziteti e profesionalizmi (në rastin më të mirë) apo edhe thjesht për protagonizëm. Duke dashur të mendoj mirë për znj. Bregu, të cilën nuk e kemi parë ndonjëherë të ndërmarrë aksione individuale në politikë, as për mirë e as për keq, e përjashtoj mundësinë e një akti të vetëdijshëm kundër lirisë së të shprehurit.
Nga Ergys Mërtiri
*Koment publikuar ditë më parë. Shuplaka e riboton sot pas riaktivizimit të qeverisë për bllokimin e raportimit të fushatës zgjedhore në portale.
Discussion about this post