U nda ditën e djeshme nga jeta ish-futbollisti i Partizanit, Gjergji Thaka. Lajmi për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit në moshën 68-vjeçare është bërë i ditur nga Klubi i Partizanit.
Sot ai do të përcillet për në banesën e fundit nga familjarë, të afërm, miq dhe pjesëtarë të skuadrës për të cilën ai luajti.
Ai ka qenë pjesëtar i ekipit “Partizani” gjatë viteve 1968-1978, kohë gjatë së cilës u shpall edhe kampion kombëtar, fitues i Kupës së Shqipërisë dhe Fitues i Kupës Ballkanike.
Gjergji Thaka ka qenë trajner moshash (kampion me të rinjtë) dhe trajner i ekipit të Partizanit. Për shtatë vite, ai mbajti edhe poste drejtuese, në klubin e kuq , zv/shef dhe drejtor i klubit “Partizani“. Nga viti 1999-2002, Thaka ka qenë edhe punonjës i Federatës Shqiptare të Futbollit.
(XH.A/SHUPLAKA)