Ka përfunduar pas 60 minutash mbledhja e Këshillit Politik, e cila u zhvillua ditën e sotme në ambintet e Pallatit të Kongreseve.
Mësohet se në fokus të mbledhjes së sotme ishte plotësimi i kuadrit të plotë ligjor me ndryshimet ligjore për t’u votuar më pas në Kuvend.
Përfaqësuesit e Këshillit Politik nuk u prononcuan për mediat siç ndodh zakonisht, ndërkohë që përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri theksoi se brenda javës do të jetë gati drafti dhe do të kalojë në Kuvend.
“Sapo të zbardhet do të kalojë menjëherë në Komison. Brenda javës do të jetë gati paketa ligjore që do të kalojë në Kuvend dhe do të zbardhet i gjithë drafti.”- tha Gjiknuri.
Palët arritën dje një marrëveshje për Reformën Zgjedhore, ndërsa Këshilli Politik do të vijojë të mblidhet për draftet që do të zbërthejnë marrëveshjen dhe çështjet e tjera që kanë mbetur për t’u diskutuar.