Shqipëria është vendi i parë që firmosi me TAP Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës (MQVP) në Prill 2013. Së fundmi, kjo marrëveshje është rinegociuar dhe pritet që negociatat e reja me TAP t’i sigurojnë Shqipërisë përfitime ekstra në vlerën e 80 milionë eurove.
Në takimin e organizuar me TAP sot në Tiranë, u firmos marrëveshja që sipas Ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri, do i sigurojë Shqipërisë rritje të të ardhurave për tatimet si dhe rritje të mbështetjes së TAP për kompaninë shqiptare të gazit Alb Gaz.
“Nëse një vend tjetër do të ketë përfitime ekstra gjatë projektit edhe Shqipëria do të ketë. Kjo negociatë do t’i japë Shqipërisë 80 milionë euro ekstra. Jemi duke diskutuar me ta për një paketë tjetër mbështetëse. Sektori i gazit nuk është më një ëndërr. Ky është një proces që do të miratohet nga parlamenti, por dua të theksoj rëndësinë e këtij procesi. Në këtë marrëveshje palët kanë arritur kompromisin e duhur. Falenderoj të gjithë partnerët e TAP dhe qeverinë zvicerane”, deklaroi ministri Gjiknuri.
Kontrata e nënshkruar së fundmi nuk do të jetë e përjetshme, pasi pas 25 vjetësh Shqipëria do të mund të negociojë marrëveshjen.
Deklarata për firmosjen e sotme me TAP
Shqipëria dhe konsorciumi i gazsjellësit TAP nënshkruajnë amendimit të Marrëveshjes me Qeverinë e Vendin Pritës.
TIRANË- Republika e Shqipërisë dhe Konsorciumi i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP AG) nënshkruan sot në Tiranë amendimin e Marrëveshjes me Qeverinë e Vendin Pritës (MQVP) dhe marrëveshjet shoqëruese për përfitimet vendase dhe angazhimin për zhvillimin e tregut të gazit së bashku me Memorandumin e Mirëkuptimit që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes për sistemin e gazsjellësit TAP në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këto dokumente do të ndjekin procedurat përkatëse ligjore për miratimin e tyre nga Këshilli i Ministrave dhe më pas Parlamenti i Shqipërisë.
Marrëveshjet për palën shqiptare u firmosën nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri ndërsa për konsorciumin TAP prej Drejtorit Menaxherial, z. Ian Bradshaw. Ato janë rezultat i shtatë muajsh negocime mes palëve.
Amendimet përkthehen në përfitime shtesë për Shqipërinë si:
- Rishikimi i periudhës së stabilitetit fiskal që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatim fitimi, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë një efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë Eurosh;
- Rritja e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë Euro;
- Dyfishim i fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350’000 Euro në 700’000 Euro;
- Memorandumi i Mirëkuptimit që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz, (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit ne Shqipëri), në aftesimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale;
Gjithashtu, nga ana e TAP u shpreh vullneti për të përmbushur disa detyrime të tjera për sa i përket: 1) sigurimit financiar të aktiviteteve në seksionin që shtrihet në territorin shqiptar; 2) mundësinë e kufizimit të kohëzgjatjes së MQVP-së në 25 vite në rastin e plotësimit të kushteve të përcaktuara; 3) zgjatjen e afatit të rimbursimit të TVSH-së nga 30 në 180 ditë dhe 4) dhënien e të drejtës palës shqiptare për të marrë të njëjtat përfitime nëse TAP lidh marrëveshje tjetër MQVP me një shtet tjetër prites.
“Kjo marrëveshje e amenduar i krijon mundësinë Shqipërisë që të trajtohet tashmë në mënyrën e duhur dhe të ribalancojë angazhimet e saj kontraktuale si vend pritës i gazsjellësit duke maksimalizuar përfitimet. Qeveria e Shqipërisë mirëpret angazhimin e TAP për vazhdimin e projekteve të investimit në dobi të komuniteteve lokale, në infrastrukturën energjitike dhe atë të transportit”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Drejtori Manaxherial i TAP z. Ian Bradshaw u shpreh: “Dëshiroj të falënderoj Qeverinë e Shqipërisë dhe popullin shqiptar që e kanë mirëpritur gazsjellësin TAP. Ne do të vijomë të jemi “fqinj” të mirë dhe një korporatë me përgjegjshmëri të lartë shoqërore e qytetare dhe do të mbështesim projekte Sociale dhe Mjedisore që sjellin përmirësime të qëndrueshme në cilësinë e jetës së komuniteteve që jetojnë pranë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri
Negociatat mes qeverisë shqiptare dhe TAP, zhvilluar në Maj-Dhjetor 2016 janë mbështetur gjithashtu nga qeveria e Zvicrës përmes projektit të ndërtimit të kapaciteteve në sektorin e gazit. Përmes granteve të ofruara u angazhua një konsorcium i drejtuar nga studio “Roland Berger” që ndihmoi qeverinë shqiptare në krahasimin e marrëveshjeve dhe negocimin e Shqipërisë me TAP.
“Marrëveshja e sotme mes autoriteteve publike dhe investitorëve të TAP nënkupton progres për sektorin e energjisë dhe gazit në Shqipëri. Shqipëria është tashmë në rrjetin ndërkombëtar të gazit dhe energjisë. Njësoj si vendet fqinje anëtare të Bashkimit Evropian si Greqia dhe Italia, ajo mund të gëzojë të njëjtat të drejta dhe përfitime nga ky investim strategjik. Ne mund të themi se më së fundi Shqipëria është pjesë rrjetit të TAP”, vlerësoi z.Philipp Keller, zv.ambasador i Zvicrës.
Shqipëria është vendi i parë që firmosi me TAP Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës (MQVP) në Prill 2013. Bazuar mbi përcaktimet ligjore të kesaj marrëveshjeje, pala shqiptare kishte të drejtën të kërkonte përshtatjen e termave të saj për të siguruar trajtim të barabartë dhe kushte jo diskriminuese.
(XH.A/SHUPLAKA)