Nuk kanë të ndalur çuditë e Spanjës për sa i përket përballjes me Kosovën. Spanja nuk e njeh Kosovës si shtet dhe kjo si fillim vuri në dyshim përballjen mes dy ekipeve për eliminatoret e Kupës së Botës.
Por sot, gazeta sportive më e madhe në vend ‘As’ ka kryer një veprim të paimagjinueshëm duke hequr emrin e Kosovës në renditjen e tabelës.
Në bazë të kësaj imagjinate të shfrenuar i bie që Spanja të luajë me një ekip të një shteti “fantazmë”. Kjo mënyrë e sjelljes ka shkaktuar polemika të shumta dhe reagime nga ana e shqiptarëve.
Dy ekipet pritet të përballen në 31 mars dhe Spanja mban një qëndrim të tillë për mos njohjen si shtet të Kosovës për shkak të problemeve me Katalunjën.
Fillimisht shteti iberik kërkoi që në ndeshjen që pritet të luhet në Sevilja të mos luhej himni kombëtar dhe të ndaloheshin simbolet dhe flamuri, por kjo u ndalua nga ana e FIFA dhe nuk u pranua nga Federata e Futbollit të Kosovës.