Këtë të mërkurë, “Transparency International” ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2016, për “luftimin e rrethit vicioz të korrupsionit dhe të pabarazisë”.
Për të dytin vit radhazi, Shqipëria ka shënuar përparim në radhitjen e TI-së, duke shkuar në vendin e 83-të nga vendi 88-të ku ndodhej një vit më parë.
Në raportin e TI-së thuhet se 69% e 176 vendeve të përfshira në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit kanë shënuar më pak se 50 pikë duke vënë në dukje kështui “se sa masiv dhe i përhapur është korrupsioni në sektorin publik në gjithë botën”.
Sa i përket Kosovës, ajo ka marrë 36 pikë nga 100 të mundshme, krahasuar me Shqipërinë që ka marrë 39 pikë. Megjithatë, edhe ajo ka bërë përparim krahasuar me një vit më parë, kur është radhitur në vendin e 103-të me 33 pikë gjithsej.
Kryesisht vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rënie në disa pozita krahasuar me një vit më parë, ndërsa Maqedonia kryeson me rënien më të madhe nga vendet e tjera.
Ajo është radhitur e 90-ta me 37 pikë gjithsej, duke shënuar rënien më të madhe nga të gjitha vendet e rajonit.
Në raportin “ Transparency International” thekson se korrupsioni sistematik dhe pabarazia sociale “fuqizojnë njëra-tjetrën duke çuar drejt një zhgënjimi të përgjithshëm me institucionet dhe duke siguruar një terren pjellor për ngritjen e politikanëve populistë:
“Korrupsioni dhe pabarazia ushqejnë njëri tjetrin, krijojnë një rreth vicioz ndërmjet korrupsionit, shpërndarjes së pabarabartë të fuqisë në shoqëri dhe njëkohësisht edhe shpërndarjen e pabaratë të pasurisë në shoqëri”. (XH.A/SHUPLAKA)