Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato mori pjesë sot në prezantimin e platformës “Transparent Albania”, një portë unike për akses të shpejtë dhe të lehtë në informacion, që vendos transparencën buxhetore si prioritet.
“Integriteti do të thotë të bësh gjënë e duhur, jo se mund të jetë gjëja më e lehtë për të bërë, por sepse është zgjedhja e duhur për të bërë dhe në përputhje me ligjin. Do të thotë ndershmëri dhe që ke parime dhe vlera të forta morale. Integriteti është jetik, sepse është parakushti për besim, për llogaridhënie, por edhe për drejtësi. Janë pikërisht themelet për qeverisje të mirë, efektive, institucione të shëndetshme dhe shoqëri të shëndetshme, sepse pa besim nuk ka kohezion në shoqëri”, nënvizoi Gonzato.
Ambasadori Gonzato tha se “ajo që është shumë e rëndësishme është që integriteti nuk ka të bëjë vetëm me administratën publike, por duhet të lulëzojë edhe në sektorin privat. Më vjen mirë që shoh që kemi biznese të njohura dhe shoqata biznesesh që kanë mbështetur dhe kanë marrë pjesë në Javën e Integritetit”.
“Meqenëse fola për etikën, vlerat, parimet, integritetin dhe përgjegjësinë këto jo vetëm që po bëhen praktika të përhershme në komunitetin e biznesit, por janë në fakt kërkesë e vërtetë e qytetarëve, sepse korrupsioni dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore jo vetëm që i çon këto burime për përfitim tek vetëm pak vetë, por edhe minon besimin tek institucionet, dëmton reputacionin, por sjell edhe mungesë efikasiteti në sistem dhe pengon suksesin në të ardhmen”, theksoi Gonzato.
Ndërkohë, vijoi Gonzato, që integriteti ofron një kulturë llogaridhënie, transparencë, fuqizon faktin që ne të gjithë të jemi të ndershëm, janë përbërës thelbësorë për një rritje të qëndrueshme, stabilitet, begati që do të zgjasë, si edhe për sukses për bizneset dhe të ardhme më të mirë financiare.
Gonzato tha se “ky takim është shumë i rëndësishëm, pasi ndodh edhe në sajë të negociatave për anëtarësim që është bërë kohët e fundit. Shqipëria ka miratuar udhërrëfyes, por edhe axhenda në reforma që kanë të bëjnë me gjyqësorin, me administratën shtetërore, me klimën e biznesit. Ne presim që sektori privat të jetë pjesë e zbatimit të këtyre reformave duke siguruar konkurrencë të drejtë në treg, qeverisjen e mirë, raportimin financiar, sundimin e ligjit, standardet e BE-së dhe besimin tek institucionet”.
“Në të njëjtën kohë raporti i zgjerimit i 31 tetorit 2024 përforcoi nevojën për të përmirësuar ndërgjegjësimin e zyrtarëve publikë për standardet etike. Jemi shumë të kënaqur që shikojmë lëvizje në drejtimin e duhur për të trajtuar këto çështje siç duhet”, tha ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Po ashtu Gonzato u shpreh se duhet investim për edukimin e brezave të rinj, rëndësinë e mirëqeverisjes dhe transparencës dhe luftën ndaj korrupsionit.
“Qeverisja transparente mbetet gur themeli për të ecur para me integritet”, tha Gonzato.
“Ecuria e konsiderueshme e Shqipërisë me digjitalizimin do të plotësohet me procedura llogaridhënëse në zyrtarët e nivelit të dytë për të parandaluar shkeljet e integritetit. Kjo barrë është e çdo institucioni, ku gjatë gjithë kohës do duhet të jenë në zbatim këto rregulla, t’i ruajnë dhe plotësojnë ato, duhet të ketë rregulla të korporatave. Duhet të ketë trajnime të rregullta. Për t’u bërë anëtar në BE do të thotë të krijohet në shoqëri ku qytetarët të jenë të barabartë. Një Evropë e fortë është e ndërtuar mbi besim dhe besueshmëri, kjo është esenca e integrimit, le të punojmë së bashku që ky vizion të bëhet realitet”, nënvizoi Gonzato.