Vjosa Osmani është pozicionuar në shumë çështje kundër partisë me logon e të cilës kandidoi për kryeministre të vendit në zgjedhjet e 6 Tetorit të vitit të kaluar, ndërsa sot në orën 19:00, kryesia e LDK-së vendos për fatin e saj politik nëse do të qëndrojë apo jo si pjesë e strukturave të partisë.
Gjasat janë se kryeparlamentarja e Kosovës do të ‘përzihet’ nga partia e saj, ndërsa mbetet e hapur mundësia për të zëvendësuar edhe postin në krye të Kuvendit, pasi është cituar nga drejtuesit e LDK-së por edhe nga vetë Isa Mustafa se, statuti i partisë parashikon ndaj atyre që shmangen apo devijojnë nga ‘ideologjia’ se nuk kanë vend brenda subjektit politik të themeluar nga lideri historik, Ibrahim Rugova.
Ka ndodhur më herët që Mustafa të mos e lërgojë Osmanin edhe në kohën kur kjo e fundit votoi kundër tij në aleancën që bëri me Partinë Demokratike të Kosovës ndërsa sot, kryetari i LDK-së me sa duket është lodhur nga zëvendësja e tij dhe numri 2 në parti, pasi ka vendosur t’i sfidojë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm me kërkesën për përjashtimin nga pozita e Nënkryetares si dhe anëtares së Kryesisë, çështje për të cilën sot në mbrëmje do të votohet dhe në orën 19:00 përfundon procesi.
Votimi bëhet pas kërkesës së Mustafës ndërsa do të praktikohet metoda online e votimit, ç’ka nuk do t’i japë mundësinë asaj t’i shikojë në sy apo t’ju flasë kolegëve të saj. Osmani doli kundër kryeministrit të sapo emëruar nga një koalicion i gjerë, Avdullah Hotit për të marrë këtë post ku nuk mori fare pjesë në votimin kur me 61 vota u formua Qeveria LDK-AAK-NISMA me minoritetet.
Vjosa Osmani dështoi ta nxirrte LDK-në fituese në garë me partitë tjera ku VV doli e para me vetëm një mandat deputeti më shumë por pavarësisht se zgjati për disa muaj, dialogimi mes këtyre dy forcave politike, u formua një koalicion i brishtë i cili zgjati vetëm pak ditë, ndërsa qeveria ra 50 ditë pas formimit.
Osmani ishte një nga figurat brenda LDK-së e cila luajti një rol pothuajse vendimtar për formimin e këtij koalicioni, ndërkohë që ajo është bërë tashmë në Kosovë por jo vetëm një nga personalitetet më popullore. Por kjo nuk kishte rëndësi me sa duket për kolegët brenda partisë, madje as nuk u diskutua që pas rënies së qeverisë duke qenë se mori vota pothuajse sa të gjithë bashkë kandidatët e tjerë për ddeputeë, emri i Osmanit as nuk u lakua për të marrë postin e kryeministres, duke ia atribuar njërit nga më besnikët e Mustafës dhe më të dakordësuarin me partitë e tjera me të cilat do të formonte qeverinë, madje edhe atë të PDK-së që është në opozitë, apo pëlqimin e Kreut të Shtetit Hashim Thaçit. Qeveri e cila u krijua pa zgjedhje por me marrrëveshje politike në kulmin e pandemisë.
Vjosa Osmani ka hyrë në politikë duke qenë Këshilltare e Fatmir Sejdiut bashkë me Isa Mustafën, që pastaj u ngjit në krye të LDK-së, frenat e të cilës i mori në zgjedhjet e brendshme të 2010 ku fitoi bindshëm kundër Fatmir Sejdinit, transmeton Faxweb.al.
Si edhe më sipër u citua, Osmani e cila kishte kundërshtuar Mustafën në një sërë çështjesh brenda partisë, ishte pajtuar me të dhe e kishte përkrahur Avdullah Hotin për Kryeministër në zgjedhjet e 2017-ës, kur LDK dështoi, po ashtu, të dalë e para. Marrëdhëniet mes tyre u përmirësuan akoma në zgjedhjet e fundit partiake kur Mustafa e pranoi për Nënkryetare dhe kërkoi votat e partisë për ta bërë edhe Shefe të Qeverisë, të cilat do ta përzgjidhnin edhe si kandidate për kryeministre dhe figurë qëndrore në parti.
Marrëdhëniet janë krisur sërish dhe rol ka luajtur edhe Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit apo ky i fundit vetë, i cili e ka përkrahur vazhdimisht Osmanin teksa kjo pak ditë më parë ka deklaruar se do të bashkëpunojë me Vetëvendosjen deri me rikthimin e normalitetit politik në vend. Sot Vjosa Osmani fillon një histori të re në raport me politikën dhe LDK-në, me shumë gjasa jashtë kësaj, teksa indiciet janë të ndara në dy drejtime; t’i bashkohet VV-së që është më pak e mundshme, ose të formojë një parti të re të drejtuar prej saj. Kryetari i Vushtrisë e nënkryetar i Degës së LDK-së në Vushtri, Xhafer Tahiri ka publikuar një foto me Osmanin dhe ka deklaruar votën e tij kundër përjashtimit të saj nga LDK ku edhe ka paralajmëruar një lëvizje të re politike në Kosovë.
Teksa kjo klimë paraqitet momentalisht në LDK, Kosova po ‘zien’ nga ajo çfarë pritet të ndodhë më 27 Qershor në Washington, ku një delagacion nga vendi do të takohet me një delegacion nga Serbia, i nivelit të lartë përfaqësues dhe të thirrur nga SHBA-të, për të gjetur kodet që do të çonin në një normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve të Ballkanit dhe synimin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare ku specifikohet njohja e ndërsjelltë mes tyre.
(F.GJ/FAXWEB.AL)