Akademiku Artan Fuga ka vijuar me tezat e tij sesi do të shndërrohet Shqipëria pa praninë e opozitës në zgjedhje. Sipas Fugës pa opozitën do të jenë zgjedhjet një muze i madh.
‘’Sepse brezat e rinj do të njohin nga afër si ka qenë monizmi i dikurshëm. Njësoj sikur të vizitojnë ndonjë nga sallat e dedikuara të Muzeut historik Kombëtar. Votimet pa opozitën janë edhe një lloj agjencie turistike. Kush nuk kupton këtë ose është budalla, ose është shumë shumë i zgjuar, pra shejtan budalla. Votimet pa opozitën nuk i interesojnë në fakt, në rradhë të parë, partisë socialiste, pastaj edhe LSI, dhe në fund edhe partisë demokratike. ’, shkruan ndër të tjera Fuga.
Në këtë status ka komentuar edhe ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Sipas Manjanit kjo është padyshim politika më vetshkatërruese e mundshme dhe opozita do radikalizohet dhe do shkojë “natyrshëm” drejt dhunës.
“Është padyshim politika më vetshkatërruese e mundshme! Më pëlqen krahasimi me një muze, sepse tingëllon bukur. Duket si një gjë e heshtur e paqesore pavarësisht se objektet e muzeut janë dëshmitare të dhunës në vite. Në fakt një situatë post zgjedhore me parlament njëngjyrësh do jetë vetë parlamenti muze. Qeveria si drejtor i emëruar i muzeut (drejtor nga ata të paaftët fare). Gjykatat dhe prokurorite nuk do kenë asnjë dallim nga stacionet e policisë (ka shenja që tani të kësaj sjellje).
Opozita do radikalizohet dhe do shkojë “natyrshëm” drejt dhunës! Njerëzit do shushaten sepse edhe për një fjalë pakënaqësie i pret burgu, si nxitës të dhunës e pakënaqësisë!
Muzeu do ta ketë edhe këtë pjesë…
Besoj se jemi ende në kohë të mos e ri-çelim kët muze! Kërkohet vetëm pak respekt për veten. Askush jashtë nesh nuk na respekton nëse nuk respektojmë veten.
Të përshëndes Profesor që na jep mundësinë të refletojmë.”, shkruan Manjani. (J.V/Shuplaka)