Pavarësisht se viti 2016 është quajtur i suksesshëm nga Policia e Tiranës përsa i përket rendit dhe sigurisë në kryeqytet, gjatë vitit që lamë pas ka pasur 6 vrasje më shumë se një vit më parë dhe 16 aksidente me pasojë vdekjen më shumë.
Në një analizë të detajuar për punën e një viti drejtori i Policisë së Tiranës Ervin Hodaj tha se në raport me vitin 2015 evidentohen 907 ngjarje më pak, dhe rritje e fuqisë zbuluese të policisë me 3%.
Sipas tij nga 18 vrasjet e ndodhura në qarkun Tiranë vetëm ajo e Ajet Zeqajt ka mbetur e padokumentuar.
Drejtori i Policisë së kryeqytetit kërkoi angazhimin maksimal të Policisë Rrugore për uljen e numrit të aksidenteve si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve pasi gjatë vitit 2016, 58 persona të aksidentuar kanë humbur jetën, ndërsa 128 persona janë plagosur rëndë.
Hodaj e quajti të suksesshme edhe punën e seksionit të luftës kundër narkotikëve, ku theksoi se fokusi i punës së tyre ka qenë reduktimi i përdorimit të drogës sidomos në ambiente publike, kryesisht bare dhe shkolla. (A.R/SHUPLAKA)