Deputeti i djathtë, Astrit Patozi tha se nëse do të ishte në vendin e Bashës do t’i propozonte kryeministrit Rama që pasi të pranojë qeverinë teknike, kryeministrin e ardhshëm të propozojë PS.
Deklaratën Patozi e bëri në Ora News, i cili tha se nuk beson në asnjë skenar jo pozitiv të protestës.
Deputeti demokrat tha se qëllimi është një dhe i vetëm, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nëse krijohet qeveria kujdestare, opozita do të votojë vettingun.
I pyetur se cfarë kërkon konkretisht PD, Patozi tha se ata duan një qeveri kujdestare madje kryeministrin sipas tij mund ta propozojë edhe PS.
“Të kërkosh zgjedhje të parakohshme është detyrë e çdo opozite dhe kërkohën kudo. Jo çdo kërkesë është e mundur. Që opozita kërkon zgjedhje të parakohshme kjo është normale, por që zgjedhje të parakohshme të ketë sa herë kërkon opozita kjo nuk është normale. Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk është fundi i botës që nuk ka ndodhur. Ne kërkojmë një qeveri kujdestare dhe po na thuhet që po protestokemi jo për zgjedhje të lira, por që të mbrohemi nga vettingu. Nëse është kështu atëhere cfarë e pengon qeverinë të japë qeverinë teknike dhe ne jemi gati të shkojmë të votojmë vettingun që nesër. Madje unë po të isha në vend të Bashës do ti thoja kryeministrit që jam gati që edhe kryeministrin e ardhshëm ta propozoni ju, pra ta propozojë PS, por kjo të jetë qeveri kujdestare që të mbështet nga të gjitha palët, sepse kjo na çon drejt zgjedhjeve të lira” tha Patozi. (M.D/ Shuplaka)