Drejtori ekzekutiv i ‘’Fax News” Enton Abilekaj në studion e lajmeve ka komentuar zhvillimet më të fundit në vend, si arrestimi i kreut të Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.
Duke iu referuar reagimeve nga ana e PD-së dhe LSI-së Abilekaj u shpreh se opozita do të duhet të inkurajojë Prokurorinë për hetime në nivele të larta. Ai tha se shkeljet për Frrokajn janë gjetur nga ana e KLSH-së dhe kështu nuk ka sesi hetimet të jenë politike.
‘’Përgjegjësia duhet të gjendet te zyrtarët, ashtu si dhe në rastin e arrestimeve të zyrtarëve për abuzimet me rrugë e Elbasanit.
Tjetërsimi i pronave në Shëngjin, dhe në të gjithë qarkun e Lezhës, një ndër përgjegjësit kryesor ka kryetarin e Bashkisë.
Nëse shohim kur kanë ndodhur këto shkelje të konstatuara nga ana e KLSH-së, kanë ndodhur në fundin e vitit 2016, pra një vit e gjysmë pasi Fran Frrokaj u bë kryetar bashkie. KLSH nuk është e kontrolluar nga ana e Partisë Socialiste dhe kryetari i saj është zgjedhur me votat e PD-së dhe njihet për prirjet e tij të djathta.
PD fillimisht duhet që të distancohej nga këto akte dhe më pas të dilte apo jo në mbrojtje të Fran Frrokajt. PD nuk mund të bëjë rolin e Prokurorisë dhe as të mbrojë të akuzuarin nga ana e Prokurorisë.
PD dhe LSI duhet që të distancohen nga aktet e të zgjedhurve të tyre. Të kërkohet një gjykim i drejtë, dhe të ndihmohet Prokuroria që të mos jetë e intimiduar dhe të vijohet puna dhe për të zgjedhurit e majtë”, u shpreh ndër të tjera Abilekaj.
”Opozita po jep mesazhin se kërkon që të mbrojë njerëzit e vetë, qofshin këta të korruptuar apo jo. Dhe kjo është rruga më e keqe që opozita ka zgjedhur, duhet të mbështeten arrestimet në nivele të larta“, u shpreh më tej drejtori i ”Fax News”.
Duke iu referuar protestës që po mbahet për Frrokajn, Abilekaj u shpreh: Ky është shembulli më i keq që opozita jep, pas miratimit të reformës në drejtësi, e cila është miratuar. Shpresa e njerëzve ka qenë dhe mbetyet që drejtësia të japë shenjat e para të ndëshkueshmërisë së krimit në nivele të larta. A do të përdoret kjo për një gjueti shtrigash, deri më tani është herët që të flasim.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post