Deputeti Ben Blushi ka reaguar për vetëvarjen në burgun e Rrogozhinës së 22-vjeçarit Estref Halili. Sipas Blushit pavarësisht se këto ngjarje të rënda kanë ndodhur në institucione shtetërore askush nuk mban përgjegjësi për to. Ai ka përmendur edhe raste të tjera si vdekja e të riut Gjoklaj në Sharrë apo e një tjetër personi që vrau veten në burg pasi ishte arrestuar se nuk paguante dot dritat.
”PËR ESTREF HALILIN
Ky është Estref Halili, që u vetëvra në burgun e Rrogozhinës pasi kishte përfunduar aty për një cigare hashash. Nuk është i pari që humb jetën në besë të shtetit që duhet ta mbronte.
Para tij i ka ndodhur Ardit Gjoklajt në Sharrë apo Isufit që nuk kishte paguar faturën e energjisë dhe përfundoi si Estrefi. Askush nuk mban përgjegjësi për ta.
Askush nuk ikën nga puna,askush nuk kërkon ndjesë, askush nuk i ngushëllon. Në Republikën tonë nuk ka asnjë investitor të fushave me kanabis në burg.Ata mbrohen nga shteti. Ndërsa djem si Estrefi kalben në burg se kanë pirë cigaret që shiten me license shtetërore.
Kjo është Republika e Kanabisit. Po të mbjellësh një arë je i lirë, po të shesësh një ton je i mirë, po të blesh një gram je i grirë,po të pish një cigare je i fshirë.Ngushëllime familjes së Estrefit.Shpresoj të jetë i fundit!”, ka mbyllur reagimin e tij Blushi. (E.K/SHUPLAKA)
Discussion about this post