Zëdhënësja e antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka reaguar përmes një deklarate të fortë kundër Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për shkelje të hapur të ligjit në funksion të interesave elektorale.
“Që Edi Rama nuk pyet për ligjin, përkundrazi e shkel atë sa herë i nevojitet për të arritur qëllimet e tij, kjo nuk ka asnjë dyshim,” u shpreh Vangjeli. Ajo theksoi se qëllimi më i fundit i qeverisë është blerja e votave përmes investimeve publike apo përdorimit të burimeve shtetërore, veçanërisht në periudhën zgjedhore.
Sipas saj, vetëm katër muaj përpara datës së zgjedhjeve, janë shënuar shkelje flagrante të ligjit zgjedhor për ndalimin e investimeve të reja publike. “Bazuar në të dhënat nga Open Procurement, në këtë periudhë të ndaluar, në rang vendi janë zhvilluar procedura prokurimi për punë publike me një vlerë që kap 33.3 milionë euro,” tha zëdhënësja demokrate.
PD e konsideron këtë një tjetër dëshmi të përdorimit të shtetit në funksion të fushatës elektorale dhe kërkon hetim të plotë për shkeljet e pretenduara.