Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, në deklaratën e tij pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, u shpreh i kënaqur me pikën e marrë në një transfertë të vështirë si ajo e Korçës.
Ai tha se skuadra e tij vazhdon të tregojë personalitet dhe gjithashtu ironizoi me deklaratat e shpeshta të kundërshtarëve që nuk e konsiderojnë Kukësin si pretendent serioz për titull.
Për barazimin
“Sigurisht që më gëzon barazimi sepse duke patur parasysh vështirësinë e kësaj ndeshjeje dhe kundërshtarin që kishim përballë, si dhe rrjedhën e ngjarjeve, sot dhamë maksimumin duke ndryshuar gjithçka në pjesën e dytë. Është një pikë force që na jep moral. Kjo skuadër vazhdon të ketë personalitet dhe karakter, jep kudo maksimumin. Për të arritur objektivin, duhet punuar siç punuam sot.”
Për ndryshimet në pjesën e dytë
“Ndryshimet gjatë pjësës së dytë i kishim menduar dhe planifikuar. Kishim ndërtuar disa plane dhe kishim ndërtuar një lojë në varësi të një kundërshtari të vështirë. Në pjesën e parë donim të lodhnim disa lojtarë. Ndryshimet në pjesën e dytë dolën efektive dhe na dhanë një pikë shumë të vlefshme.”
Për deklaratat e shpeshta që nuk e shohin Kukësin pretendent serioz për titull
“Kemi 26 javë që nga java në jave thonë ja do rrëzohemi tani ja pastaj, thonë që Kukësi nuk është pretendent, por u mësuam tani dhe nuk na bën përshtypje. Ne vazhdojmë punën tonë dhe unë them më mirë të jemi si ajri sesa si mali. Disa duan të duken si mali, le të vazhdojnë, ne jemi mirë duke u dukur si ajri.”
Për çalimin e lojës në pjesën e parë
“Në pjesën e parë kishim një problem që po linim hapësira mes sulmit dhe mesfushës sepse Hasani vinte mbrapa, ndërsa në pjesën e dytë e udhëzuam Hasanin që të dilte më përpara.”
Për pathyeshmërinë e Kukësit
“Kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë për hir të së vërtetës. Unë vazhdoj të them që Skënderbeu është një skuadër e elitës. Nuk e di se kur mund të thyhemi por ne vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe ishalla qëndrojmë deri në fund të pamposhtur.”
Mosdorëzimi 90 minuta, përgatitje fizike apo uri për titullin?
“Nëse dora nuk përgjigjet për ta çuar lugën te goja, duhet te përgatitësh dorën që ta bëjë veprimin.
Kryesfida e javës së 26 mes Skënderbeut dhe Kukësit e luajtur në Korçë u mbyll në një barazim 1-1.
Latifi ishte në një ditë të shkëlqyer duke dhuruar spektakël sidomos gjatë pjesës së parë dhe ishte ai autori i golit të korçarëve në minutën e 14 të takimit.
Ndërkohë në pjesën e dytë ritmi i lojës ra disi dhe festën para kohe të korçarëve e shfrytëzoi Kale i cili barazoi rezultatin me një supergol në minutën e 89.
Pas këtij takimi të rëndësishëm, Kukësi vazhdon kryesimin me 52 pikë, ndërsa Skënderbeu e ndjek në vendin e dytë me 50 pikë.
Nesër është shansi i Partizanit që të bashkohet me Kukësin në krye nëse fiton ndeshjen ndaj Korabit.
(M.D/ Shuplaka)