“Më bëni gati një maskë se dua të luaj javën tjetër”. Zëvendëspresidenti i Albacetes ka treguar i çuditur për mediat spanjolle të shtunën paradite, se kjo ishte kërkesa e parë që ka bërë Rei Manaj pasi ka mësuar se kishte pësuar frakturë në hundë e asgjë më shumë pas goditjes që mori në fytyrë në fundjavë.
Edhe pse lojtari ishte me fytyrë të ënjtur e të përgjakur i shtruar në spital, kërkonte me çdo kusht që t’i jepej mundësia të luante sa më shpejt që të ishte e mundur.
Duket se kjo dëshirë mund të plotësohet shumë shpejt. Në vizitat e zhvilluara sot në ambientet e klubit, sipas vetë Albacetes, doktor Vajendo i ka konfirmuar Manajt se edhe testet për dëmtimin në hundë kishin rezultuar pozitive.
Kësisoj, Manaj mund të luajë që në fundjavën e ardhshme nëse arrijnë t’i bëjnë në kohë një maskë të veçantë që vendoset në raste dëmtimesh në hundë dhe sigurisht nëse bind trajnerin në seancat stërvitore gjatë kësaj jave.
Discussion about this post