Në përfundim të seancës në Gjykatën Civile për kërkesat e kontrollorëve, avokati Rezart Kthupi, e quajti të paligjshëm ndalimin e kontrollorëve të Albcontrol, pasi ata nuk kanë braktisur detyrën por kanë ushtruar një të drejtë që ja lejon ligji dhe që është pezulli i punës në rastet e stresit.
Avokati bëri me dije se do të rrëzojnë në gjykatë akuzën për shpërdorim detyre pasi është e jashtëligjshme.
“Paditësi është sindikata dhe sindikata përfshin kontrollorët, pastaj efektet e vendimit të Gjykatës Civile do të shtrihen mbi të gjithë punonjësit e AlbControll.
Nuk e dimë akoma se çfarë do të kërkojë prokuroria. Ne do të kërkojmë rrëzimin e të gjitha akuzave dhe procedimin e paligjishëm. Prokurori pretendon që ka një tentativë të organizuar për të braktisur detyrën, ndërkohë që ajo është e vërteta është që kontrollorët kanë shpallur paaftësinë për punë përmes një shkrese të ligjshme.
I kemi takuar të ndaluarit janë në gjendje të rëndë psikologjike dhe nuk kuptojnë si mund të merren të pandehur për një çështje të cilën ligji ja njeh. Deklarata e paaftësisë është individuale dhe është firmosur individualisht nga të gjithë kontrollorët”, tha Kthupi.