Kryeministrit Edi Rama nuk i është rezervuar një pritje e këndshme sot në Universitetin e Elbasanit, ku ai ka vazhduar me “leksionet” e tij, duke u ndalur edhe tek reforma në arsim, por dhe tek ajo në drejtësi.
Pak përpara se të niste leksioni i hapur, një grup studentësh i kanë kërkuar Ramës të japë dorëheqjen. Ndër të tjera në pankartat e tyre shkruhej: “Rama jep dorëheqjen”, “Reforma në arsim e dështuar”.
Nga ana tjetër, nga Universiteti i Elbasanit, ai ka vënë theksin tek reforma në arsim që ka sjellë një përmirësim të cilësisë dhe i ka hapur rrugë arsimit profesional. Ai ka theksuar edhe rëndësinë e reformës në drejtësi, që sipas kreut të Qeverisë do të sjellë përmirësime edhe në arsim.
“Reforma e arsimit të lartë është një reformë e thellë që do kërkojë kohë për të dhënë rezultatet e saj të qëndrueshme. Shihet qartë se ka një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë pasi rruga e konkurrencës nuk kushtëzohet nga paraja, nga partia apo të njohurit.
Kemi bërë gjënë e duhur duke hapur rrugën e arsimit profesional, rruga për të hyrë në botën e sipërmarrjes. Është shumë e rëndësishme që matura shtetërore nga një formalitet, është kthyer në një process ku administrimi është larg politikave.
Ajo që bën një sistem drejtësie solid është ajo që krijon kushte që të ketë stabilitet. Siç e dini atë shprehjen “Një mollë e kalbur kalb gjithë shportën”, në sistemin tonë të drejtësisë ka pa diskutim të korruptuar. Pushtetin në sistemin e drejtësisë e kanë kriminelët, po kriminelët. Reforma në drejtësi, yll polar për të bërë shtet.” (XH.A/SHUPLAKA)